FOTO/ Turneu i Unifikuar i Basketbollit, fuqizim i atletëve me aftësi të kufizuara intelektuale

Special Olympics Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Federatën Shqiptare të Basketbollit dhe Akademinë Goga Basket, organizoi Turneun e Unifikuar të Basketbollit, një prej aktiviteteve më të rëndësishme të kalendarit vjetor të organizatës.
Turneu, i zhvilluar në kuadër të Javës Europiane të Basketbollit (EBW 2025) dhe Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, mbledh çdo vit atletë me aftësi të kufizuara intelektuale, sportistë të rinj, trajnerë dhe vullnetarë që besojnë në fuqinë transformuese të sportit.
Pjesëmarrësit sollën emocione të forta në fushë, duke treguar talent, përkushtim dhe një frymë të jashtëzakonshme bashkëpunimi thelbi i modelit “Unified Sports”, i cili synon të promovojë përfshirjen sociale duke bashkuar në të njëjtin ekip atletë me dhe pa aftësi të kufizuara.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, i cili përshëndeti organizimin dhe vlerësoi punën e pandërprerë të Special Olympics Albania.
Ai theksoi mbështetjen e plotë të KOKSH për iniciativat që nxisin barazinë, solidaritetin dhe fuqizimin e të rinjve me aftësi të kufizuara.
Turneu i Unifikuar i Basketbollit dëshmoi edhe një herë se kur sporti kombinohet me përkushtim social, ai kthehet në një mjet të fuqishëm për integrim dhe respekt ndaj diversitetit.
Organizatorët shprehën synimin për të rritur edhe më tej përfshirjen e komuniteteve dhe shkollave në vitet e ardhshme.


