Foden: Fitojmë përsëri tripletën, kënaqësi të luash me De Bruyne

Manchester City fitoi 1-3 në Copenhagen takimin e parë të raundit të 1/8-ve në Champions League.
Kampionët në fuqi janë me një këmbë në çerekfinale pas suksesit në kryeqytetin danez.
Phil Foden, autori i një goli dhe një asisti në fitoren përballë Copenhagenit, theksoi pas ndeshjes se ai dhe shokët e tij mund të fitojnë përsëri tripletën. Si në sezonin e kaluar.
“Patjetër që ndihem në formë, mendoj se kam gjetur atë vazhdimësi që nuk e kam patur për një kohë të gjatë. Jam i lumtur që jam përfshirë në shumë gola dhe asiste.
Kjo është ajo që më pëlqen të bëj, kështu që jam i kënaqur. Po luajmë realisht shumë mirë gjatë kësaj periudhe.
Përsëritja e tripletës? Asnjë ekip tjetër nuk ka arritur të fitojë tripletën dy herë radhazi, kështu që pse jo?
Ne do të përpiqemi të vazhdojmë kështu dhe të përsëritim sërish atë që bëmë edicionin e kaluar”, theksoi 23-vjeçari.
Në fund një koment për Kevin De Bruyne: “Ai është një futbollist kyç për ne. Po kombinohemi shumë mirë kohët e fundit. Kënaqësi të luash përkrah tij”.

