Flick ngre tonet: I kuptoj pakënaqësitë e tyre, por jo reagimet

Flick ngre tonet: I kuptoj pakënaqësitë e tyre, por jo reagimet

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur për çështjen e lojtarëve që nuk janë dukur shumë të kënaqur me zëvendësimet e kryera prej tij në ndeshjen e fundit ndaj Celta Vigo. Gjermani u shpreh "pa dorashka", duke komentuar:

“E kuptoj kur lojtarët mund të mos jenë të lumtur apo të kënaqur, kur nuk luajnë. Kam qenë vetë lojtar profesionist dhe i kuptoj ata. Të gjithë duan të tregojnë se mund të kontribuojnë dhe të jenë pjesë e ekipit.

E kuptoj këtë, por nuk e kuptoj reagimin e tyre pas ndeshjes me Celta Vigo. Është një situatë që duhet pranuar nga lojtarët. Ndaj Celta Vigo arritëm një fitore të madhe me përmbysje.

Morëm vendimet e duhura, që na dërguan te fitorja. Më pëlqen t’i shoh reagimet e lojtarëve kur luajnë, të gjithë duhet ta festojnë fitoren, jo të shkaktojnë polemika".

Ndeshja kundër Mallorca: “Mendoj se Mallorca po bën një kampionat të mirë dhe ka mundësinë të luajë në Europë sezonin e ardhshëm. Do të jetë një ndeshje e vështirë, është një skuadër me përvojë, që mbrohet mirë dhe shumë e fortë në tranzicion… Duhet të jemi të përgatitur”.

Gjendja e Lewandowskit: “Shpresoj që të jetë gati për ndeshjet vendimtare. Duhet të presim, nuk e dimë se kur do të kthehet dhe sa do të mungojë. Preferoj të mos them më shumë”.

Ter Stegen: “Ai është gati, afër rikthimit. Do të flas me të. Do të vendosim kur është momenti më i mirë për të luajtur sërish”.

Ankesat për oraret e ndeshjeve: “Nuk ka të reja, kam thënë çfarë doja të thoja. Nuk kam asgjë për të shtuar”.

Dy javë vendimtare: “Gjëja më e rëndësishme për mua është që të përqendrohemi te vetja jonë. Duhet të përmirësohemi në çdo ndeshje. Kemi cilësinë për të mposhtur këdo, por vetëm nëse i bëjmë gjërat siç duhet. Pas ndeshjes me Celta Vigo, me atë përmbysje, ndiej shumë energji positive. Kjo më pëlqen shumë. Skuadra është në një moment të mirë, duhet të vazhdojmë kështu”.

Lodhja fizike: “Duhet ta menaxhojmë lodhjen, është shumë e rëndësishme t’i kemi këmbët e freskëta. Duhet ta menaxhojmë minutazhin e secilit futbollist. Nuk është e lehtë për t’u menaxhuar, sepse lojtarët duan të tregojnë që janë në formë dhe nuk duan të pushojnë, por ata duhet të pranojnë vendimet tona. Ne duam të marrim vendimet më të drejta për skuadrën”.

Finalja e Kupës dhe La Liga: “Nuk besoj se finalja do të ndikojë. E dimë që janë dy kompeticione të ndryshme. Objektivi ynë është të fitojmë, edhe i Real Madridit gjithashtu. Pas finales së Kupës së Mbretit do të mbeten ende shumë ndeshje për t’u luajtur”.

Ferran Torres: “Është në një moment të mirë të karrierës së tij. Ka shënuar 10 gola në La Liga. Pozicioni i tij është si sulmues i parë, ka lëvizshmëri, ndihmon në mbrojtje… Është në formë optimale, por duhet ta menaxhojmë mirë sepse kemi nevojë për të deri në fund të sezonit”.

Raphinha: “Duhet theksuar se i gjithë grupi i lojtarëve është shumë profesionist. Kam një skuadër që gjithmonë fokusohet te gjërat për t’u përmirësuar. Raphinha dhe shumë të tjerë bëjnë një punë fantastike. Janë liderë. Jam shumë i kënaqur me skuadrën, me atë që lojtarët bëjnë në fushë dhe me mënyrën se si përgatiten për ndeshjen tjetër”.

Pozicioni i Frenkie de Jong: “I analizojmë ndeshjet dhe i tregojmë se si duhet të luajë. Ndonjëherë, kur ke topin, askush nuk mendon që mund ta humbasë…, por duhet të jesh në gjendje ta rifitosh kur e humbet. Kishte disa situata kundër Celta Vigos që nuk më pëlqyen”.

EMISIONET