FIFA, të enjten Infantino në Tiranë, takime zyrtare me Ramën dhe Dukën

FIFA, të enjten Infantino në Tiranë, takime zyrtare me Ramën

Zhurma që po lë pas Kombëtarja Shqiptare në opinionin publik është e destinuar të venitet, të paktën për veshët e FSHF-së që përgatitet të presë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Zërat ishin në qarkullim prej ditësh por tashmë është zyrtare që njeriu më i fuqishëm i futbollit botëror do të zbarkojë në Tiranë të enjten e 29 shtatorit ku do të takohet fillimisht me Kryeministrin, Edi Rama dhe më pas me drejtuesit e futbollit shqiptar në “Shtëpinë e Futbollit” ku do të inagurojë punimet e bëra falë mbështetjes financiare të FIFA-s që përfshijnë edhe dy fushat stërvitore të ekipeve kombëtare.

Komunikata zyrtare e FSHF:

"Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino do të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri më datë 29 shtator për t’u takuar me drejtuesit e FSHF-së dhe anëtarët e komunitetit të futbollit shqiptar. Një vizitë që përkon me festimet për 90-vjetorin e anëtarësimit të FSHF-së në FIFA, por edhe për inaugurimin e “Shtëpisë së Futbollit”, një kompleks modern i financuar pikërisht nga programi “Forward” i FIFA-s.

Gjatë vizitës, Presidenti Infantino do të pritet në një takim edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërkohë që do të marrë pjesë në eventin festiv që do të organizohet në “Shtëpinë e Futbollit” me rastin e inaugurimit.

Ky kompleks gjigand, në të cilin ndodhet edhe selia e FSHF-së, është thuajse drejt përfundimit së bashku me dy mini-stadiumet, që shumë shpejt do të hapin dyert për ekipet kombëtare të Shqipërisë e ofrojnë një infrastrukturë bashkëkohore me të gjitha kushtet që kanë stadiumet më moderne. Një investim madhor i FIFA-s e që i jep ekipeve kombëtare të moshave një shtëpi dinjitoze ku talentet e reja kanë të gjitha ambientet e nevojshme.

Numri një i FIFA-s e kishte paralajmëruar prej muajsh këtë vizitë përmes një letre dërguar presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ku shprehte kënaqësinë për të ndarë vizionin e përbashkët për futbollin dhe mënyrat për të zhvilluar më tej lojën tonë dhe promovimin e vlerave të saj në Shqipëri dhe në rajon.

Infantino e ka vlerësuar vazhdimisht punën e mirë të bërë nga Presidenti Duka dhe FSHF gjatë gjithë këtyre viteve në mbështetje të zhvillimit të futbollit dhe ka mbështetur qeverinë e futbollit shqiptar në çdo hap e projekt".

 

EMISIONET