FIFA e merr seriozisht, kërkon të gjejë fajtorët e hyrjes së Salt Bae në fushën e “Lusail Stadium”

Merr përmasa edhe më të mëdha skandali i Salt Bae, i cili u shfaq në foto me pothuajse çdo lojtar të Argjentinës dhe me trofeun e Kupës së Botës në fushën e Lusail Stadium pas finales së 18 dhjetorit. Ndoshta qëllimi i biznesmenit të famshëm është pikërisht ky, që njerëzit dhe rrjetet sociale të flasin sa më shumë për të dhe mesa duket ia ka arritur qëllimit.
FIFA ka hapur një hetim për të zbuluar pse ai ndodhej pikërisht mes lojtarëve dhe stafit të Argjentinës në momentin e festimeve dhe kush ishte personi që e ndihmoi të bëhej bashkë me lojtarët që fituan trofeun.
Salt Bae nuk ka marrëdhënie komerciale me FIFA-n madje sipas të dhënave, nuk ka pasur as ftesë nga presidenti Infantino për ta ndjekur këtë ndeshje. Sipas rregullores, Kupa është një nga simbolet më të rëndësishëm të futbollit dhe si e tillë mund të mbahet vetëm nga një numër i kufizuar njerëzish që përfshin fituesit e mëparshëm dhe krerët e shteteve por vetëm kaq.
Në profilin e tij në Instagram, Bae shfaqet me trofeun në duart e tij duke prishur festën e Di Marias, Lisandro Martinez dhe Romeros por edhe Lionel Messit. Filmimet tregojnë biznesnenin turk që ndjek këmba këmbës yllin argjentinas edhe pse ky i fundit nuk ka aspak dëshirë për t’i folur apo për ta takuar.
Shefi i kuzhinës, emri i vërtetë i të cilit është Nusret Gökçe ka rreth 50 milionë ndjekës në Instagram ndërsa në të shkuarën shumë njerëz të njohur dhe lojtarë të klasit botëror kanë ndaluar në rrjetin e restoranteve që zotëron. Për shkak të sjelljes së tij në Kupën e Botës, US Open 2023 e ka shpallur “non grata” nga finalja e vitit të ardhshëm.

