Faza përgatitore nis me telashe për Hysajn, goditet në kavilje që në ditën e parë

Elseid Hysaj nis këtë edicion në radhët e Lacios ndryshe nga i kaluari.
Një vit më parë, nën trajnerin Marko Baroni, ai e nisi sezonin si i “përjashtuar” nga klubi bardhekaltër, pasi në pjesën e parë të edicionit e pa veten në tribunë, i lënë jashtë listave nga aktivitetet zyrtare.
Hysaj u kthye protagonist në pjesën e dytë dhe rifitoi vendin e tij te bardhekaltrit.
Një rol i cili është përforcuar me kthimin e trajnerit Mauricio Sarri, i cili i beson verbërisht mbrojtësit të Kombëtares shqiptare.
Por grumbullimi i fazës përgatitore në qendrën e Formelos nuk ka nisur mirë për Hysajn pasi që në ditën e parë të stërvitjeve të mirëfillta, ai ka lënë në mes ndeshjen e kontrollit të pasdites për një shkelm në kavilje.
Ka qenë një ndërhyrje e Noslin ajo që ka detyruar Hysajn të dalë para kohe nga fusha e lojës duke lënë në mes seancën stërvitore dhe duke kërkuar ndihmën e mjekëve.
Shpresohet që Hysaj të mos ketë asgjë shqetësuese, në mënyrë që të zhvillojë të plotë këtë fazë përgatitore, në një edicion ku do të vendoset edhe vijimi i karrierës së tij, pasi është në vitin e fundit të kontratës me Lacion.

