EURO U-17 për vajza/ Shqipëria mposhtet edhe nga Izraeli, mbyll grupin në vendin e fundit

Turneu i parë Europian i organizuar nga FSHF për këtë vit uli siparin sot me ndeshjen e fundit Izrael-Shqipëri, e vlefshme për raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 për vajza, ku në grupin B6 ishin pjesë Shqipëria, Irlanda dhe Izraeli.
Shqipëria e vajzave U-17 që drejtohet nga trajneri Agustin Kola nuk ia doli edhe në këtë përballje teksa u mposht 3-1, në sfidën e zhvilluar në “Air Albania”.
Një sfidë e cila u mbyll që në pjesën e parë, teksa Klesta Ago kaloi në avantazh Shqipërinë pas 11 minutash lojë me një gol të realizuar nga goditja e dënimit, por Izraeli barazoi pas 12 minutash me anë të Ben Israel.
Në minutën e 34-të, Elmaleh përmbysi rezultatin, ndërsa tre minuta më pas Cohen çoi rezultatin në 3-1 dhe kështu u mbyll pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, pavarësisht përpjekjeve nga të dyja skuadrat rezultati nuk ndryshoi, me Shqipërinë që pësoi humbjen e dytë, pas disfatës 7-1 përballë Irlandës, me këto të fundit që e mbyllën grupin me 6 pikë dhe në vendin e dytë u pozicionua Izraeli me 3 pikë.
Kështu, Kombëtarja shqiptare do të luajë në Ligën B edhe në kualifikueset e ardhshme të Kampionatit Europian për vajza U-17.

