Erzeni lë fitoren t’i shpëtojë nga duart, Laçi beson dhe barazon në shtesë

Shumë luftë për dy pikë të ndara mes dy skuadrave në ndeshjen e tretë të javës së 23 të luajtur në stadiumin “Niko Dovana” mes Erzenit dhe Laçit. Sfidë dramatike në Durrës ku të besuarit e Gentjan Mezanit barazuan rezultatin në minutën e dytë shtesë me autor Ujkën.
Ka shumë për të “qarë” skuadra shijakase që flirtoi shumë me fitoren pas golit të shënuar nga Ademi në minutën e 65 dhe kur mendohej se surpriza e sezonit do të shkonte drejt një suksesi tjetër, erdhi goli i barazimit që ndau një barazim i cili nuk i hyn shumë në punë Laçit për shkak të fitores se Egnatias në Ballsh.
Skuadra e Xhevahir Kapllanit iu afrua disa herë golit të dytë por nuk arriti ta vuloste suksesin duke i dhënë mundësi Laçit të qëndronte në lojë deri në fund.





