Ernest Muçi gati të largohet nga Stambolli, sulmuesi i Kombëtares kuqezi fshin emrin e Besiktasit nga faqet e tij sociale…

TURQI - “Ku nuk të duan, mos rri!” Kjo fjalë e urtë popullore duket se e udhëheq sulmuesin e Kombëtares kuqezi, Ernest Muçi.
Duket se gjithçka po shkon drejt fundit. Nuk janë kohët më të mira të mundshme për Ernest Muçin, as në Kombëtaren shqiptare dhe as në klubin e tij të Besiktasit, ndaj duket se ka ardhur momenti për të marrë një vendim.
Të përditshmet turke shkruajnë se ylli kuqezi është i mërzitur në Stamboll për shkak të aktivizimit të paktë, dhe duket i vendosur për t’u larguar.
Gazeta sportive, “Foto Maç” ka një artikull ku tregon, se Muçi ka hequr emrin Besiktas nga faqja e tij në Instagram, diçka që flet vetë.
Sipas kësaj medieje, një klub i madh europian e kërkon shqiptarin në huazim.
Një titull edhe më të fortë ka e përditshmja tjetër, “Hyrrijet”. “Nuk qendroj atje ku nuk më duan”, mësohet të ketë thënë lojtari i talentuar i krahut.
Besiktasi shpenzoi rreth 10 milionë euro tek Legia e Varshavës për kartonin e Muçit, dhe besohet se do të donte të fitonte 12 milionë në rast largimit.
Futbollisti 23-vjeçar në një sezon e gjysmë në Turqi ka 55 ndeshje, me 11 gola e 4 asistë, ndërsa pati më shumë hapësirë edicionin 2023-2024, e më pak në këtë që sapo u mbyll.

