Erand Ibrahimi tregon listën e legjendave që do jenë në “Air Albania”, zbulon planin e masave për finalen

Pak ditë kanë mbetur nga finalja e madhe e Ligës së Konferencës, që do të zhvillohet në “Air Albania” mbrëmjen e 25 majit. Drejtori i projekteve në FSHF, Erand Ibrahimi, ka folur në një intervistë për  “Ora Sport” në “Ora TV”, ku ka dhënë më tepër detaje për organizmin e këtij eventi të rëndësishëm për vendin tonë.

Erand Ibrahimi:“Kemi padyshim të gjithë nivelet më të lartë ekzekutiv të UEFA-s , me presidentin Ceferin që i udhëheq. Kemi legjenda të futbollit që do të jenë pjesë e këtij organizimi, duke filluar nga legjenda e spikatur Boniek, Saviçeviç që do të jetë mes të ftuarve, Boban si pjesë e stafit të UEFA-s, kemi Totin të konfirmuar, Di Baxhon të konfirmuar. Kam përshtypjen që do të jetë dhe dikush nga ana e tifozerisë holandeze, mbase Gulit. Megjithatë mbetet për t’u parë pasi listat janë shumë dinamike."

"Tifozeritë do ndahen. Fejnordi do jetë i gjithi i pozicionuar te pjesa e pedonales, ndërkohë që tifozeria e Romës do të jetë e gjitha e pozicionuar te pjesa e amfiteatrit te parku i liqenit. Do ketë një vëmendje të policisë së shtetit, sidomos nga pikëpamja e shmangies së çdo lloj konfrontimi të grupimeve. Domethënë, ne nuk presim që të ketë grupime që të planifikojnë takimin në një pikë. Mbase nga pikëpamja e zhvillimit mund të rastësi sporadike të një grupi tifozësh që mund të hasin në distancë me një grup tjetër tifozësh", tha ai.

"Sot kishim një mbledhje te drejtoria e policisë së shteti dhe u konfirmua edhe një herë gjithë plani i masave që do të jetë duke filluar nga pozicionimi i policisë nëpër akse të ndryshme deri te vëzhgimi në distancë i grupeve të tifozëve të të dyja ekipeve. Nuk presim që të ketë një neglizhencë nga ku mund të lindin incidente. Deri tani jemi shumë të qetë dhe besoj që çdo gjë do shkojë sipas programit. Ngaqë kap dita-ditën, i bie që punojmë më shumë se 24 orë. Por megjithatë, do i vijë fundi”, ka deklaruar Erand Ibrahimi.

EMISIONET