E pabesueshme në Milano, vodhi një vezë të Pashkëve për shkak të Interit dhe përfundoi në burg

Duhej të ishte një ditë e bukur futbolli për një 48-vjeçar që kishte planifikuar të ndiqte ndeshjen mes Interit dhe Bayernit në ‘San Siro’, por përfundoi keq: në pranga, për shkak të një tentative vjedhjeje absurde.
Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, rreth orës 17:30, në një supermarket në Milano, vetëm pak orë para sfidës së shumëpritur.
Burri, sipas raportimeve, u tundua nga një vezë e Pashkëve që kishte të bashkangjitur një simbol të Interit.
Dëshira për ta pasur e çoi në tentativën për ta vjedhur, por nuk kishte llogaritur rojën e sigurisë që e ndaloi menjëherë.
Në përpjekje për t’u larguar, ai goditi rojën me grushte dhe shqelma, por pa mundur të shpëtonte.
Pak minuta më vonë, forcat e rendit ndërhynë dhe e arrestuan, duke e dërguar në burgun e San Vittore-s.
Teksa po shoqërohej nga policia, ai shpërtheu me zemërim: “Për fajin tuaj, sonte nuk do të shkoj dot në stadium!” – tha ai.
Por mund të kishte menduar më mirë më parë.
Në fund, ngushëllimi i vetëm për të ishte vetë fitorja e Interit, e cila siguroi një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, duke i dhënë një arsye për të buzëqeshur – edhe pse nga qelia.

