E mërkura, futboll apo formalitet? Tre sfida të Superiores s’janë kuotuar nga kompanitë ndërkombëtare

Java e 35-të në kampionatin shqiptar nuk po tërheq vëmendje vetëm për atë që pritet të ndodhë në fushë, por sidomos për klimën e rënduar që e shoqëron.
Koeficientet e basteve, që zakonisht japin një pasqyrë të qartë të balancave, këtë herë po tregojnë një histori të ndarë më dysh. Në dy përballje, tregu ndërkombëtar është shprehur qartë.
Dinamo – Vora paraqitet si një duel i hapur dhe pa favorit absolut në drekë, por që ndryshon në darkë. Dinamo kuotohet me 4.10, barazimi me 3.75, ndërsa Vora me 1.65, çka tregon se diferencat që ishin minimale janë përmbysur në mbrëmje. Një ndeshje ku logjika sportive pritet të dominojë, të paktën në letër.
Në krahun tjetër, Flamurtari – Teuta shihet si një ndeshje me një drejtim të vetëm. Koeficienti 1.38 për fitoren e Flamurtarit tregon qartë besimin e madh të tregut te vlonjatët.
Barazimi me 4.20 dhe fitorja e Teutës me 6.50 e theksojnë edhe më shumë hendekun mes skuadrave, duke e kthyer këtë përballje në një test ku çdo rezultat tjetër përveç fitores së vendasve do të konsiderohej surprizë e madhe. Problemi i vërtetë nuk qëndron te këto dy ndeshje.
Ajo që e bën këtë javë të shpërthejë në polemika është fakti se tre përballje të tjera, Tirana – Vllaznia, Egnatia – Partizani dhe Bylis – Elbasani, nuk janë kuotuar fare nga kompanitë ndërkombëtare të basteve. Zero kuotime. Një “heshtje” totale nga tregu, që në raste normale është gjithmonë aktiv, sidomos për ndeshje të këtij niveli.
Kjo nuk është thjesht një mungesë teknike apo rastësi. Në shumicën e rasteve, kur kompani të mëdha vendosin të mos ofrojnë kuota, kjo lidhet me nivel të lartë pasigurie, lëvizje të dyshimta ose mungesë besimi te integriteti i ndeshjeve. Dhe kur kjo ndodh në tre sfida njëkohësisht, alarmi është i fortë. Situata bëhet edhe më e rëndë nëse kujtojmë çfarë ndodhi vetëm një javë më parë.
Katër ndeshje u shoqëruan me polemika të forta, me një perceptim të përhapur se rezultatet dukeshin të “lexueshme” që përpara se topi të vihej në lëvizje. Ishin sfida që lanë një shije të hidhur dhe goditën besimin te gara.
Në këtë kontekst, pyetja nuk është më vetëm sportive. Nuk bëhet fjalë thjesht se kush fiton apo humbet. Pyetja që shtrohet hapur është… a do të kemi futboll të vërtetë këtë javë, apo do të përsëritet skenari i javës së kaluar, ku gjithçka dukej si një formalitet? Mungesa e kuotimeve për tre ndeshje kryesore vetëm sa e thellon këtë dyshim.
Kur tregu i basteve, që zakonisht nuk fal asgjë dhe analizon çdo detaj, zgjedh të qëndrojë jashtë, mesazhi është i fortë dhe i qartë. Dhe nëse edhe këtë javë do të shohim zhvillime që nuk përputhen me logjikën sportive, atëherë nuk do të bëhet më fjalë për dyshime, por për një krizë të hapur besimi në kampionat.
Tashmë topi është në fushë. Jo vetëm për lojtarët, por për gjithë sistemin. Sepse këtë herë, nuk është në lojë vetëm rezultati i ndeshjeve, por vetë besueshmëria e garës./ Panoramasport


