Duplantis, përtej së pamundurës: Rekord i ri botëror me 6.30 metra në Tokyo

Armand Duplantis vazhdon të sfidojë kufijtë e atletikës botërore.
Në Kampionatin Botëror të Atletikës, që po zhvillohet në Tokio, “jashtëtokësori” suedez shkëlqeu sërish duke fituar titullin e tij të tretë radhazi në kërcimin me shkop, pas Eugene 2022 dhe Budapest 2023.
Me një kërcim të jashtëzakonshëm prej 6.30 metrash, Duplantis vendosi edhe një herë rekord botëror, të katërmbëdhjetin me radhë në karrierën e tij.
Gara u zhvillua në stilin e zakonshëm të kampionit, i cili kaloi pa vështirësi lartësitë 5.55, 5.85, 5.95, 6.00 dhe 6.10, gjithmonë në përpjekjen e parë.
Pastaj, përballë një stadiumi që heshti duke pritur momentin historik, ai realizoi mrekullinë në provën e tretë, duke fluturuar mbi 6.30 metra.
Në vendin e dytë u rendit Emmanouil Karalis nga Greqia, i cili kaloi 6.00 metra dhe për një moment u përpoq të ndillte emocione duke tentuar edhe 6.20 metra, një rezultat që do t’i rriste rekordin personal me 12 centimetra, por që për pak i shpëtoi.
Podiumin e plotësoi australiani Kurtis Marshall me 5.95 metra, falë më pak gabimeve krahasuar me amerikanin Sam Kendricks, i cili mbeti i katërti.
Kështu, Duplantis jo vetëm që mbron titullin e tij botëror, por e bën këtë duke e ngritur edhe më lart legjendën e tij në atletikë.

