Drejtori i Akademisë së Juventusit, seminar në “Shtëpinë e Futbollit”

Drejtoria Teknike në FSHF zhvilloi një aktivitet të veçantë në kuadër të kursit “Drejtor Teknik Akademie”, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në këtë event mori pjesë si i ftuar special Michele Sbravati, drejtor i Akademisë së Juventusit, i cili ndau me pjesëmarrësit përvojën e klubit italian në zhvillimin e futbollit të moshave, strukturimin e akademisë dhe filozofinë që ndjek një nga klubet më të njohura në Evropë në punën me të rinjtë.
Ky seminar u zhvillua në kuadër të strategjisë së FSHF-së për rritjen e standardeve të drejtimit teknik në akademitë shqiptare dhe për shkëmbimin e eksperiencave bashkëkohore me klube prestigjioze ndërkombëtare.
Në një intervistë për fshf.org, Sbravati u shpreh i nderuar për pjesëmarrjen dhe vlerësoi mikpritjen e Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Federata Shqiptare e Futbollit është në një fazë të madhe zhvillimi, dhe këtë e tregojnë rezultatet. Mendoj gjithashtu se këto takime janë një mundësi e vlefshme për përditësim, jo vetëm për ata që i krijojnë dhe i organizojnë, por edhe për pjesëmarrësit si ne, sepse shkëmbimi i përvojës dhe përditësimi janë dy elementë themelorë për rritjen e çdo drejtuesi dhe trajneri”, tha ai.

Sbravati foli për për parimet bazë të menaxhimit dhe të marrëdhënieve, për udhëzimet metodologjike që përdoren në të gjitha strukturat e një klubi si Juventusi dhe klube të tjera të futbollit italian.
“Sot do të flasim për strukturën tonë, për parimet tona, për metodologjinë tonë, por mbi të gjitha për ADN-në e klubit dhe të shoqërisë që përpiqemi t’ua përcjellim trajnerëve dhe lojtarëve të rinj.
Sepse gjithçka nis nga një filozofi dhe nga objektiva të qarta. Nëse ne besojmë në një filozofi, duhet ta kemi atë besim dhe ta transmetojmë në mënyrën më të mirë të mundshme te trajnerët dhe instruktorët, të cilët më pas e përcjellin te lojtarët.

Është një zinxhir, ku çdo hallkë është thelbësore në strukturë dhe në procesin e formimit të futbollistëve të rinj, me një qëllim të qartë: t’u krijojmë atyre mundësinë për të realizuar ëndrrën, për ta kthyer sportin, veçanërisht futbollin, në profesionin e tyre”, përfundoi Michele Sbravati, Drejtor i Akademisë së Juventusit.
Pjesëmarrësit në seminar patën mundësinë të shkëmbenin ide dhe të njiheshin nga afër me metodologjinë dhe filozofinë e punës që ndjek Juventus në ndërtimin e futbollistëve të rinj, duke përfituar një eksperiencë të vlefshme për zhvillimin e mëtejshëm të akademive shqiptare.


