Donaruma-Dembele, luftë në skuadër për “Topin e Artë”

Fitorja e thellë 5-0 e PSG-së ndaj Interit në finalen e Champions League mund të ketë vulosur edhe garën për “Topin e Artë 2025”. Duke munguar garat kombëtare këtë vit dhe me vetëm Botërorin për Klube në horizont, duket vërtet e pamundur që dikush tjetër të marrë çmimin individual më të dëshiruar përveç ndonjë lojtari të klubit francez kampion të Evropës.
Osman Dembele është sugjerimi i atij që ka çuar këtë skuadër në majat e futbollit evropian, Luis Enrike. Në moshën 28- vjeçare, pas një karriere të shënjuar nga shumë dëmtime dhe një periudhe e vështirë te
BARCELONA — ku talenti i tij dukej sikur ishte humbur mes kritikave dhe mundësive të humbura — sulmuesi francez ka përjetuar një rilindje të vërtetë te PSG-ja. Merita i takon edhe Luis Enrikes, i cili vendosi ta largojë nga krahët e fushës për ta bërë një sulmues jo konvencional dhe shkatërrues: rezultati ishte një sezon me 33 gola dhe 15 asistime gjithsej, prej të cilave 8 gola dhe 6 asistime vetëm në Champions League.
“Do t’i jepja Topin e Artë, por jo për atë që bëri me topin. E meriton për mënyrën se si ka mbrojtur, për pressingun e palodhshëm dhe për punën e rëndë që ka bërë pa u kursyer kurrë”, tha trajneri.
DONARUMA- Nëse Dembele dhe Due kanë qenë vendimtarë për suksesin në finale, PSG-ja duhet të falënderojë edhe portierin Xhixho Donaruma, i cili në raundet paraardhëse ka mbrojtur portën me ndërhyrje të jashtëzakonshme si një yll i vërtetë.
Çmimi Yashin, ai që jepet për portierin më të mirë të sezonit, duket një formalitet për Donaruman, i cili mund ta fitojë sërish pas suksesit në 2021, kur u shpall “Mvp” i Europianit me Italinë. Sigurisht që portieri italian ëndërron më shumë se kaq. “Topi i Artë” mund të jetë një ëndërr për gjigantin italian, i cili në finalen kundër Interit ishte thjesht si spektator dhe nuk u vu kurrë në provë serioze.
