Do luhej në Arabinë Saudite, Gallatasaraj dhe Fenerbahçe bojkotojnë Superkupën e Turqisë

Ndeshja e Superkupës së Turqisë mes Gallatasarajt dhe Fenerbahçes në Arabinë Saudite është shtyrë dhe me shumë mundësi, nuk do të zhvillohet në këtë vend.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur pikërisht në ditën kur do të luhej sfida në kryeqytetin saudit, për arsye shumë të çuditshme.
Para ndeshjes, ishte bërë e ditur se skuadrat do të dilnin në nxehje me një fanellë që mbante foton e Mustafa Qemal Ataturkut dhe një frazë të tijën që thotë “Paqe në shtëpi, paqe në botë”.
Por autoritetet në Arabinë Saudite, ku do të luhej ndeshja, nuk e kanë pranuar një gjë të tillë.
Kjo ka sjellë protestën e të dy klubeve të cilat nuk kanë pranuar që të marrin pjesë në ndeshje nëse nuk plotësohet ky kusht.
Skuadrat nuk kanë lëvizur nga hoteli për të shkuar drejt stadiumit në Riad dhe më vonë ka pasur një mbledhje të përbashkët edhe me Ministrin e Sportit turk dhe drejtuesit e Federatës.
Por as kjo nuk ka ndryshuar situatën dhe kështu, ndeshja është shtyrë pa afat, duke sjellë një krizë të pazakontë që merr edhe përmasa diplomatike.

