Conference League/ Shkëndija fiton ndaj Slovan Bratislavës, AZ Alkmaar shumë e fortë për Dritën

Shkëndija e Tetovës ka marrë një fitore madhore 2-0 ndaj Slovan Bratislavës në raundin e pestë të Conference League-s, një rezultat që e mban skuadrën kuqezi plotësisht në lojë për kualifikimin, të paktën drejt fazës playoff.
Të udhëhequr nga atmosfera fantastike në Tetovë dhe me një lojë të ekuilibruar në të dyja fazat, kuqezinjtë treguan karakter, vendosmëri dhe efikasitet në momentet kyçe të ndeshjes.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 33-të, kur një këndore e pasuar me rrezik krijoi konfuzion në zonën sllovake. Kenan Bajriç u ngrit për të larguar topin me kokë, por devijimi i tij përfundoi në rrjetën e vet, duke i dhënë Shkëndijës avantazhin 1-0.
Pas golit, kuqezinjtë fituan më shumë besim dhe nisën të kontrollojnë ritmin, ndërsa Slovan reagoi me ndërhyrje të ashpra, si ajo e Rahim Ibrahim që u ndëshkua me të verdhë në minutën e 43-të.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, Shkëndija goditi sërish.
Sebastjan Spahiu, pas një asisti të bukur nga Ronaldo Webster, depërtoi me personalitet në zonë, la pas mbrojtësin dhe lëshoi një goditje të pakapshme në cepin e poshtëm të djathtë për 2-0, duke elektrizuar stadiumin dhe duke i dhënë skuadrës një avantazh të artë për pjesën e dytë.
Me këtë fitore, Shkëndija ngjitet në kuotën e shtatë pikëve pas pesë ndeshjesh (dy fitore, një barazim dhe dy humbje), duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim historik.
Tani gjithçka do të vendoset në takimin e fundit, ku kuqezinjtë do të kenë mundësinë të tentojnë të marrin pikë të tjera të arta me AEK Lanarca-n në transfertë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër Drita e Gjilanit nuk arriti të ndalte fuqinë e AZ Alkmaar-it në “Fadil Vokrri”, teksa u mposht 3-0 në një ndeshje ku cilësia dhe efikasiteti i ekipit holandez bënë diferencën.
Pavarësisht përpjekjeve dhe disa momenteve premtuese, “Intelektualët” nuk mundën të shmangnin një humbje që i zbret tashmë në zonën playoff.
Avantazhi i Alkmaar-it u hap herët, në minutën e 17-të, kur Isak Jensen lexoi në mënyrë perfekte lëvizjen e Sven Mijnans në zonë.
Sulmuesi holandez, i qetë dhe i saktë, mposhti Faton Malokun me një goditje të ulët drejt këndit të majtë, duke e bërë 0-1.
Drita tentoi të reagonte dhe pati pretendime për një penallti, por pas verifikimit me VAR vendimi mbeti “jo penallti”, duke shtuar zhgënjimin e vendasve.
Pjesa e dytë nisi sërish me goditje për Dritën. Në minutën e 58-të, Kees Smit shërbeu në kufijtë e zonës për Isak Jensen, i cili diesmal shënoi vetë me një predhë të pakapshme drejt këndit të majtë të poshtëm, duke dyfishuar shifrat në 0-2 dhe duke vënë ndeshjen nën kontroll të plotë të holandezëve.
Goditja e fundit erdhi në minutën e 90-të. Mees de Wit harkoi në zonë një top të gjatë dhe Ibrahim Sadiq fluturoi mbi mbrojtjen gjilanase, duke dërguar topin me kokë në cepin e poshtëm të majtë për 0-3, rezultat që vulosi dominimin total të AZ Alkmaar-it.

