Conference League, Plzen ndëshkon Ballkanin
Në “Doosan Arena”, Ballkani po mundet 1-0 nga Victoria Plzen, në takimin e vlefshëm për grupet e Conference League. Tentativa e parë e takimit nga çekët erdhi në minutën e 6-të, por goditja e Cadu ishte e thjeshtë për t’u pritur nga portieri Enea Koliçi.
Pas gjysmë ore loje, vendasit ngacmuan sërish portën e ekipit nga Suhareka. Ishte Hranac që provoi nga distanca, e menjëhershme përgjiga e Koliçit, që devijoi topin në goditje nga këndi.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja u shfaq 2-3 herë e rrezikshme në zonën çeke, me anë të kundërsulmeve, pa mundur dot të vendosnin në provë “gardianin” Jindrich Stanek. Ndryshe nga Fair-Play i pjesës së parë, ku asnjë karton i verdhë nuk doli nga xhepi i arbitrit polak Sylwestrzak, në 45 minutat e dyta loja ishte mjaft agresive.
Në fillimin e pjesës së dytë, ekipi i Koubek fiton penallti pas rrëzimit në zonë të Rafiu Durosinmi, VAR e anuloi. Sa më shumë kalonte koha, Plzen sa vinte dhe shfaqte nervat në fushë. Kalvach zhbllokoi takimin në minutën e 73-të, i ndihmuar edhe nga një devijim.