“Buzëqesh” më në fund Pioli, Rafael Leao rikuperohet nga dëmtimi
Më në fund ka lajme të mira për Milanin nga infermieria. Rafael Leao, I dëmtuar më 11 nëntor në bicepsin femoral të kofshës së djathtë, më në fund ka kaluar problemet mjekësore.
Testet e kryera këtë mëngjes nga numri 10 i kuqezinjve kanë dhënë sinjale pozitive për rikthimin e tij në ekip. Ish-lojtari i Lille do të kthehet sot në fushë për stërvitje të personalizuar, por më vonë do t’i bashkohet grupit.
Prania e tij të shtunën kundër Atalantës është e vështirë që të ndodhë, por Pioli mund ta thërrasë në stol. Leao, i cili nuk është parë në fushë që nga ndeshja Lecce-Milan, shumë shpejt mund të kthehet për të ndihmuar ekipin.
Ai po ruhet për të qenë në formën më të mirë të mundshme për duelin ndaj Newcastle në Champions League. Fati i kuqezinjve në kompeticionin evropian do të vendoset në këtë ndeshje, ku shanset për kualifikim janë fare minimale. /KJ/