Buxheti i shtetit dhe ai i familjeve, Qafa: Familjet e mesme po ikin, pasi s’kanë më shpresë. Në Shqipëri po mbesin shtresat në nevojë
E ndërsa ligjvënësit shqiptarë prej javësh janë përfshirë në diskutime dhe debate lidhur me projektbuxhetin e hartuar nga qeveria për vitin e ardhshëm, ajo çfarë mungon në debatin politik është ekonomia e familjeve shqiptare.
Për të kuptuar më shumë se çfarë ndodh me buxhetin e familjeve shqiptare, shpenzimet dhe kursimet e tyre, në studion e lajmeve në “Ora News”, ishte i ftuar eksperti dhe pedagogu i Ekonomisë, Mikel Qafa.
“Banka e Shqipërisë po merr masa, por jo të duhurat për uljen e inflacionit në Shqipërisë. Ndaj mendoj se deri në 2025 do të ketë norma të larta të interesit dhe inflacion më të lartë.
Nuk mendoj se ndërhyrja e qeverisë për të vendosur një normë tavan mund të rezultojë e paefektshme, siç ndodhi me rastin e naftës, ku situata ishte e pakontrullueshme.
Qytetarët shqiptarë më shumë shpenzojnë për ushqime dhe kjo është një nga arsyet kryesore e rritjes së inflacionit.
Ne e dimë tashmë që pjesë më efektive e shoqërisë dhe familjet e mesme po ikin nga vendi, pasi këtu nuk kanë më shpresë, dhe këtu kanë ngelur dhe po rritet norma e familjeve dhe qytetarëve në nevojë.
Në gjithë këto vite ekonomia bazë e çdo familjeje nuk ka ndryshuar, pasi dhe vetë inflacioni ka një dekadë që është në të njëjtat shifra.
Ndërkaq informaliteti në ekonomi është i lartë, ndaj dhe gru,mbullimi i të ardhurave nga shteti është i ulët”, u shpreh ndër të tjera në analizën e tij, eksperti i Ekonomisë, Mikel Qafa.