BOTËRORI “FULL” ME TIFOZË/ FIFA: Mbi 1 milion bileta të shitura për Kupën e Botës
FIFA ka bërë të ditur se deri më tani janë shitur mbi 1 milionë bileta për Botërorin e vitit të ardhshëm që do të zhvillohet në SHBA, Kanada e Meksikë. Më tej FIFA theksoi se kërkesa e tifozëve për bileta ka ardhur nga 212 vende dhe territore të ndryshme të botës.

Entuziazmi për Kupën e Botës 2026 ka kapërcyer çdo parashikim. FIFA ka njoftuar zyrtarisht se mbi 1 milion bileta janë shitur tashmë për edicionin e ardhshëm të turneut më të madh futbollistik në botë, që për herë të parë do të organizohet në 3 vende njëkohësisht si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Në deklaratën zyrtare të publikuar në faqen e saj, FIFA e cilësoi këtë shifër si një tregues të qartë të pritjes globale për edicionin më ambicioz dhe gjithëpërfshirës në histori.
“Kjo është një dëshmi e jashtëzakonshme se Kupa e Botës po frymëzon vërtetë botën. Biletat janë blerë nga tifozë nga më shumë se 200 vende dhe territore.”, u shpreh kreu i FIFA-s Gianni Infantino.
Sipas FIFA-s, kërkesa për bileta ka ardhur nga 212 vende dhe territore të ndryshme, duke reflektuar një interes ndërkombëtar për turneun.
Në krye të listës së blerësve janë vetë vendet pritëse, me SHBA-të që udhëheqin, të ndjekura nga Kanadaja dhe Meksika.
Pas tyre, më të shumtët në numër janë tifozët anglez, gjerman, brazilian, spanjoll, kolumbian, argjentinas dhe francez.
Ky interes i madh nuk është i rastësishëm. Botërori i 2026-s do të jetë një turne historik në disa drejtime, pasi për herë të parë do të marrin pjesë 48 ekipe kombëtare, nga 32 që ishin më parë. Po ashtu do të luhen 104 ndeshje, në krahasim me 64 më parë dhe për herë të parë, tre vende do të organizojnë së bashku turneun.
Përballë këtij interesi të jashtëzakonshëm, FIFA ka njoftuar se dritarja e ardhshme për shitjen e biletave do të hapet shumë shpejt.
Të hënën, më 27 tetor, nis periudha e regjistrimit për Shortin e Biletave të Hershme.
Përveç kësaj, FIFA ka hapur edhe një platformë zyrtare të rishitjes së biletave, ku poseduesit aktualë mund të shesin në mënyrë të sigurt biletat e tyre – gjithmonë përmes kanaleve zyrtare.


