Botërori në rrezik për Paulo Dybala, te Argjentina “kryqëzojnë gishtat”

Testet e specializuara të bëra gjatë pasdites së të hënës evidentojnë një tërheqje të rëndë muskulare në këmbën e sulmuesit të Romës, Paulo Dybala. Lajmi më i keq i mundshëm për trajnerin Jose Mourinho por edhe për Lionel Scalonin pasi Dybala projektohej në listën e bardhekaltërve për Botërorin e Katarit.
Nga Italia bëjnë me dije se dyshimet janë vërtetuar dhe tashmë sulmuesi duhet të presë edhe rezultatet e rezonancës magnetike për të mësuar kohën e saktë të rikuperimit por të gjitha dyshimet janë se ai nuk mund të rikthehet në fushë përpara 4 apo 5 javëve, çka do të thotë se me siguri humbet botërorin dhe mbyll vitin 2022 në infermieri.
Argjentina do ta luajë ndeshjen e parë në 22 nëntor kundër Arabisë Saaudite por trajneri duhet ta dorëzojë disa ditë më parë listën dhe për më tepër duhet t’i ketë të gjithë lojtarët në shëndet të plotë. Dybala humbet gjithashtu tre ndeshjet e mbetura të Europa League ndërsa në Serie A nuk do të luajë sfidën me Napolin në datën 23 dhe derbin e 6 nëntorit me Lazion.

