Bileta e fundit/ Egnatia-Partizani përplasen sot për një vend në finalen e kampionatit

Kategoria Superiore është në sprintin final për titullin kampion dhe pas ndeshjes Vllaznia – Dinamo, që nxori fitues shkodranët, është radha e përplasjes Egnatia-Partizani, që do të luhet sot, po në ‘Arenën Kombëtare”, në orën 20:00
Egnatia ka treguar edhe këtë sezon se nuk është skuadër rastësore në elitën e futbollit shqiptar.
Me një projekt serioz, një skuadër të balancuar dhe një trajner që ka ditur të ruajë qetësinë dhe vazhdimësinë, Egnatia ka qenë ndër ekipet më të forta në shtëpi dhe ka ndërtuar një stil loje të disiplinuar e efikas.
Pavarësisht se dështoi në finalen e Kupës, ekipi rrogozhinas mbetet pretendenti më serioz për ta fituar kampionatin, të cilin e ka dominuar edhe gjatë sezonit të rregullt.
Partizani kërkon rikthimin te lavdia
Partizani, ndonëse ka pasur një sezon me ulje-ngritje, për shkak të humbjeve të mëdha që pësoi në merkaton e janarit, vjen në këtë përballje me një përvojë të madhe dhe me peshën e emrit.
Me Skënder Gegën në stol, të kuqtë kanë fituar më shumë ekuilibër në lojën e tyre dhe pavarësisht se nuk janë favoritë në këtë përballje, kanë ambicien e madhe për të prekur finalen.

