Betis synon Kristian Asllanin, por Interi kërkon 20 milionë euro...

Betis synon Kristian Asllanin, por Interi kërkon 20 milionë euro...

Kristian Asllani mund të jetë pjesë e një tjetër lëvizjeje në merkato për Interin, që këtë verë po sheh ndryshime të rëndësishme në repartin e mesfushës.

Pas largimit të mundshëm të Hakan Calhanoglu, edhe e ardhmja e mesfushorit shqiptar është në dyshim.

I transferuar nga Empoli në verën e vitit 2022 për rreth 15 milionë euro, Asllani nuk ka arritur të sigurojë një vend të përhershëm në formacionin zikaltër, duke vuajtur shpesh peshën e përgjegjësive në një rol të ndjeshëm si zëvendësues i Calhanoglu.

Pavarësisht rritjes së minutave në sezonin e fundit, ku u aktivizua 20 herë si titullar në 39 ndeshje, lojtari i kombëtares shqiptare nuk ka arritur të bindë plotësisht dhe një largim i tij është gjithnjë e më shumë i mundshëm.

Sipas burimeve nga Spanja, në veçanti sipas gazetës AS, interes konkret për Asllanin ka shfaqur Betis Sevilla, që është në kërkim të një zëvendësuesi për Johnny Cardoso-n, mesfushorin që pritet të transferohet tek Atletico Madrid.

Klubi spanjoll e sheh Asllanin si një profil të përshtatshëm, por për momentin ekziston një diferencë e madhe mes ofertës dhe kërkesës.

Interi e vlerëson kartonin e Asllanit mes 18 dhe 20 milionë eurove, ndërsa Betisi nuk dëshiron të shpenzojë më shumë se 10 milionë euro.

Pavarësisht optimizmit nga ana e spanjollëve për një marrëveshje të mundshme, vetë Asllani ende nuk është shprehur i hapur për një transferim te Betisi.

E ardhmja e tij mbetet e pasigurt, ndërkohë që Interi është i gatshëm të dëgjojë ofertat, sidomos nëse lojtari do të kërkojë më shumë hapësira larg “San Siros”.

EMISIONET