Basha: Në vitin 2025, për herë të parë në Shqipëri do zhvillohet kampionati europian i 17-vjeçarëve
Anëtarja e FSHF-së, Anila Basha ishte e ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News ku u diskutua për Kombëtaren Shqiptare e cila do luajë të premten një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Moldavisë, ku vetëm 1 pikë i mjafton kuqezinjëve për tu kualifikuar në Europianin 2024 që do zhvillohet në Gjermani.
Basha u shpreh se për herë të parë në Shqipëri do zhvillohet kampionati europian i 17 vjeçarëve.
‘’Ajo që është më kryesorja është që pas disa viteve përpjekje dhe aplikimesh të Shqipërisë, më së fundmi në Shqipëri për herë të parë do të organizohet një europian nga UEFA për 17 vjeçarët dhe kjo do të jetë në vitin 2025.
Nuk ka ndodhur asnjëherë, është ngjarja më madhore. E kemi të mbyllur pak Komëbtaren. Lojtarët janë në një regjim strikt. Trajneri i Syvinhos e ka bërë nëj zgjedhje të tillë jashtë euforisë. Na duhet ta mbyllim të parët në grup’’, tha ndër të tjera Basha.

