Barazim në errësirë mediatike, Arabia Saudite dhe Shqipëria ndahen në paqe

Mbulimi mediatik pothuajse zero përveç ndonjë videoje të publikuar nga FSHF në dhomat e zhveshjes por vetëm kaq. Arabi Saudite-Shqipëri është mbyllur në barazim por askush nuk mund të thotë se si rezultoi testi për kuqezinjtë e linjave të dyta për shkak të faktit se miqësorja e Abu Dhabit u luajt nga një formacion fillestar me 9 nga 11 lojtarë të Superiores.
Të parët që shënuan ishin arabët të cilët e mbyllën 45 minutëshin në avantazh falë një 11-metërshi të realizuar nga Saleh Khalid Alshehri, ndërsa Bekim Balaj barazoi në të dytën dhe gjithë sfidën e Lindjes së Mesme.
Kombinimi i shkodranit me Odise Roshin solli barazpeshën e rezultatit dhe gjithë ndeshjes ku ishin të pranishëm agjentë të huaj për të vëzhguar lojtarët kuqezi ndërsa në stadiumin e Abu Dhabit nuk u lejuan as tifozët pasi me kërkesë të Arabisë Saudite, kjo ndeshje duhet të testojë ekipin pjesëmarrës në botëror.
Trajneri Edoardo Reja e nisi ndeshjen me këtë formacion: Elhan Kastrati, Erdenis Gurishta, Eneo Bitri, Rudolf Turkaj, Albion Marku, Esat Mala, Ardit Deliu, Arbnor Muçolli, Andi Hadroj, Sokol Cikalleshi dhe Redon Xhixha.
Në nisje të pjesës së dytë trajneri Edoardo Reja ka bërë shumë zëvendësime duke hedhur në fushë Bekim Balaj, Gentian Selmani, Odise Roshi, Mario Mitaj, Sherif Kallaku, Arinaldo Rrapajdhe Xhuliano Skuka.
Në minutën e 31 Redon Xhixha pati një rast të artë por nuk arriti të shënonte i vetëm përballë portierit kundërshtar, ndërsa në të 58-ën, Skuka pretendoi për një 11-metërsh por gjyqtari nuk ishte i të njëjtit mendim.
Kundër Shqipërisë u aktivizua skuadra titullare e Katar 2022 dhe drejtuesit e Arabisë nuk dëshirojnë të japin pika referimi për kundërshtarët duke e vendosur si kusht mostransmetimin e sfidës.


