ARBITRAT DO DËGJOHEN! Serie A, diskutimet për VAR do transmetohen në ekran e stadium!
Diskutimet e arbitrit në rishikimin në VAR të situatave të ndeshjeve të futbollit do dëgjohen në stadium por edhe në ekrane. Risia vjen në serie a, ndërsa dhe pamjet do të shfaqen në ekranet në stadium për tifozët
Një risi historike është gati të ndryshojë mënyrën e komunikimit në futbollin italian. Serie A ka njoftuar se në gjysmëfinalet dhe finalen e Kupës së Italisë do të nisë një eksperiment i ri që parashikon transmetimin e sinjalit audio të arbitrit, si në televizion, ashtu edhe në brendësi të stadiumeve.
Kjo nismë do të kufizohet në rastet kur gjyqtari kryesor, pas një rishikimi me VAR, jep shpjegimin e tij për vendimin përfundimtar. Kështu, publiku në stadium dhe shikuesit në ekran do të kenë mundësinë të dëgjojnë drejtpërdrejt arsyetimin për vendimin e marrë.
Por kjo nuk është e vetmja risi në komunikim: duke filluar nga java e 30-të e Serie A, do të prezantohet edhe "VARDict", një grafikë vizuale që do të shfaqet në ekranet gjigante të stadiumeve për të njoftuar publikun mbi një rishikim në monitor apo një kontroll të zgjatur në VAR.
“Lega Serie A dëshiron të vazhdojë të investojë në inovacion, duke futur teknologji të reja që përmirësojnë spektaklin e kampionatit tonë dhe ndihmojnë trupën gjyqësore. Ne kemi qenë të parët në botë që kemi prezantuar VAR-in, SAOT-in dhe teknologjinë e vijës së portës (GLT). Kemi zbatuar sistemin VAR Message për të përshpejtuar vendimmarrjen dhe tani jemi gati të integrojmë VARDict dhe të eksperimentojmë me transmetimin e zërit të arbitrit në stadiume dhe në televizion”, tha Luigi De Siervo kreu ekzekutiv i futbollit në Itali.
Sipas tij, qëllimi është të rritet transparenca dhe kuptueshmëria e vendimeve arbitrale për të gjitha palët e përfshira: lojtarë, trajnerë, drejtues klubesh dhe sidomos për publikun në tribuna dhe audiencën televizive.