Allegri realist: Start i vështirë, reagim i madh dhe tri pikë me vlerë

Massimiliano Allegri u shfaq realist në analizën e suksesit ndaj Romës, duke theksuar se skuadra e tij nuk e nisi mirë sfidën: “Në rreth 35 minutat e para, Roma e meritonte në maksimum të ishte në avantazh.
Ne nuk po arrinim të ndërtonim lojën tonë, gabonim në pasime dhe ishim nën presion të vazhdueshëm.
Më pas, pas golit, ekuilibruam dhe në pjesën e dytë treguam një paraqitje shumë të mirë, edhe pse u desh të mbronim fort.
Përveç asaj periudhe fillestare, Roma nuk krijoi raste të qarta”.
Goli i Pavlovic i dha Milanit një fitore të rëndësishme dhe e ngjiti skuadrën në pozicionin e dytë, vetëm një pikë prapa Napolit.
Megjithatë, Allegri gjeti moment për të shprehur edhe trishtimin e tij: “Sot është një ditë e vështirë, ka ndërruar jetë Giovanni Galeone.
Ai më ka formuar që në periudhën te Pescara në vitin ’91. Prej tij mësova themelet e fazës mbrojtëse”.
Sa i përket lojës, trajneri shtoi: “Fillimisht u ndjemë në vështirësi nga presioni i Romës, por me rregullimin në mesfushë me katër lojtarë gjetëm ritmin e duhur.
Bartesaghi dhe De Winter e nisën dobët, por reaguan si duhet”. Për Leao dhe Nkunku, Allegri ishte i qartë: “Të dy dhanë kontribut pozitiv.
Nkunku është fantastik, edhe pse nuk është qendërsulmues i pastër, por e rëndësishme është që zona e tyre të mbushet dhe rrezikshmëria të jetë e vazhdueshme”.

