Al-Khelaifi kundër Perez: Njerëzit po vriten në Ukrainë, ai kërkon SuperLigën

Në një intervistë për BBC, Nasser Al-Khelaifi foli si numri 1 i PSG por edhe si presidenti i Unionit të Klubeve të Europës. Ai nuk u ndal të kritikonte Florentino Perez që ende ka iniciativën për të ngritur SuperLigën Europiane të Futbollit që tashmë ai e shikon si projekt të “vdekur”.
“Kur flasim për ESL ose jo-ESL, më vjen keq të them Superliga, ne po flasim vetem për tre klube. Ata e dinë që nuk ka asnjë mundësi. Njerëzit po vdesin në Ukrainë dhe nuk kanë ku të flenë dhe ne zihemi ende për Superligën? Unë dua të luaj ato ndeshjet e mëdha, sigurisht. Unë e di se çfarë kërkon publiku. Por nuk mund të themi 'je një klub i vogël, je jashtë'. Duhet të jetë një sistem i hapur, nën organin drejtues, ku të ketë respekt për të gjithë”, u shpreh ai.
Al Khelaifi hyri më në detaje duke zbuluar edhe lojën që bënë tre klubet themeluese, Real, Barça e Juve të cilët i ofruan një çek të majmë.
“Problemi me klubet e ESL është se ata nuk kanë stabilitet. Ata nuk kanë një vizion afatgjatë financiar. Ata vazhdojnë të flasin për kontratën e tyre ligjore, por ajo që harrojnë është se futbolli është një kontratë sociale, nuk është një kontratë ligjore, ata tundin një copë letër. Florentino Perez më foli në ndeshjen e Ligës së Kampionëve dhe më tha 'duhet të arrijmë në një pikë ku mund të flasim me ju'. Isha vërtet i ashpër me të. Thashë se isha i lumtur të flisja, por nëse ai do të bënte gjëra pas shpinës sime, nuk më intereson. Unë mund të kisha marrë çekun e tyre prej 400 milionë eurosh. Më ftuan, pastaj kur thashë jo, ata thanë se nuk më ftuan, kjo i përmbledh të gjitha. E mendoja ndonjëherë po sikur ta kisha bërë, sidomos gjatë Covid. Çfarë do të thoja për tifozët dhe vlerat që përfaqësojnë?”, deklaroi numri 1 i parizienëve në intervistën e tij./Ora News/.

