Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk është i gatshëm të shkojë në Bruksel të dielën, më 12 korrik, ashtu sikurse bëri me dije më herë për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ky takim ëhstë shtyrë për ditën e enjte, datë 16 korrik.

“Në “samitin virtual” të Parisit, ditën e sotme Hoti ka thënë se ky proces duhet të udhëzohet nga këto parime: Që integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, që organizimi kushtetues i Kosovës nuk bën të preket, pasi që garanton funksionimin demokratik të autoriteteve, barazinë në përfaqësim dhe ngërthen parimin e shtetit civil dhe jo i organizuar përgjatë vijave etnike; që marrëveshja me Serbinë duhet të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, shkruhet në fjalimin në anglisht të Hotit, të cilën e ka ndarë me mediat Zyra për Komunikim e Kryeministrit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar të premten se shteti i tij është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por jo edhe për ultimatume.

“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël. Ne marrim pjesë në dialog nën ombrellën e BE-së, është e rëndësishme për ne. Pala shqiptare kanë thënë se asociacioni komunave serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre. Nëse nuk jeni në gjendje ta plotësoni këtë për shtatë vjet e gjysmë, si mendoni të plotësoni gjërat tjera” – tha Vuçiç.  

Video-samiti për Kosovën, organizatorët e të cilit ishin presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka marrë pjesë edhe i dërguari special i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.