Shqipëri-Angli në rrezik. FSHF: Policia nuk garanton mbarëvajtjen

Federata Shqiptare e Futbollit jep alarmin për ndeshjen Shqipëri-Angli, ku sipas këtij institucioni, Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk mund të garantojë mbarëvajtjen e këtij takimi të rëndësishëm.

FSHF kishte kërkuar më parë të liroheshin hapësirat në perimetrin e “Air Albania” ku do të luhet ndeshja por ka marrë një përgjigje negative çka vë në dyshim serioz zhvillimin e ndeshjes së shumëpritur ndaj Anglisë.

Më poshtë reagimi i plotë nga FSHF:

"Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.

Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoriatit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.

Anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar."

Sport Lajme fshf Futboll Lajmi i fundit shqiperia air albania

EMISIONET