Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ i heq gjobën prej 75 mijë lekësh kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Veliaj ishte ndëshkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me argumentin se nuk ka raportuar aktivitetet që ka zhvilluar në këtë prag fushate.

Por sipas relatorit të çështjes, Koli Bele, Erion Veliaj nuk është përgjegjës direkt për raportimin e aktiviteteve që zhvillon.

3 nga 5 anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve votuan pro anullimit të gjobës. Kundër, sipas asaj që mëson Ora News, kanë votuar Ledio Braho dhe Elvis Çefa.

Kujtojmë se ankesa për Veliajn në KQZ ishte bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Përfaqësuesi i LSI-së tha javën e shkuar se Veliaj kishte shpërfillur parimin e armëve të barabarta që subjektet politike duhet të kenë 4 muaj para datës së zgjedhjeve.

Kjo datë përkon me datën 25 dhjetor, ndërkohë që sipas përfaqësuesit të LSI-së Veliaj kishte kryer aktivitetet edhe gjatë janarit dhe shkurtit.

Sipas kodit të ri zgjedhor Institucionet Vendore dhe Qendrore duhet të raportojnë paraprakisht për çdo aktivitet që do të kryejnë deri në 25 prill.

Po ashtu investimet që nuk ishin parashikuar para datës 25 dhjetor nuk mund të promovohen në media për propagandë.
Lexo edhe: KAS anuloi gjobën e Veliajt, reagon Gjosha: Shtet me dy standarde! Gjobiten për lajm