VIDEO/ Mjekët në QSUNT trajtojnë me sukses defektet në zemër te foshnjat

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shërbimi i kardiokirurgjisë pediatrike po zhvillohet duke forcuar më tej sistemin shëndetësor.
Prof. Asc. Altin Veshti, kardiokirurg, shprehet se një nga diagnozat më të shpeshta, ajo që në gjuhën e popullit quhet “vrimë në zemër”, trajtohet në QSUNT, me profesionalizëm dhe përkushtim nga ana e stafit mjekësor, duke i rikthyer foshnjat në një jetë normale.
“Ky bebe ka pasur atë që populli e quan “vrimë në zemër”, që në gjuhën teknike quhet defekt intraventrikular. Nuk është një diagnozë e veçantë, sepse kemi të bëjmë me qindra lloje defektesh intraventrikulare. Tashmë, që nga viti 2011, nuk ka më asnjë fëmijë që shkon jashtë për këtë diagnozë, sepse shërohen këtu”, tha Veshti.
“Është një ndërhyrje jetëshpëtuese që kryhet një herë në jetë. Mbyllet komunikimi dhe këta fëmijë kthehen në jetë normale. Janë 1300 fëmijë të operuar në qendrën tonë dhe janë kthyer në jetën normale”, vijoi ai.
Prof.Asc. Veshti nënvizoi se për herë të parë në Shqipëri dhe në QSUNT në këtë ndërhyrje kirurgjikale është përdorur një solucion kardioplegjik.
“Bebi shkoi shumë mirë, zemra e mori veten shpejt. Postoperativi nuk pati probleme dhe për pesë ditë bebi doli në shtëpi”, tha Veshti duke iu referuar një rasti të fundit.
Falë profesionalizmit të mjekëve, përkushtimit të stafit dhe teknologjisë që përforcohet ditë pas dite, qindra fëmijë me probleme kardiake kanë kryer ndërhyrje të specializuara dhe sot, fatmirësisht, gëzojnë shëndet të mirë dhe i janë kthyer jetesës normale.


