Shërbimi i Sterilizimit kthehet në pronësi publike/ Fundi i PPP-së në shëndetësi
Qeveria vendosi t’i japë fund partneritetit publik-privat (PPP) në shërbimin e sterilizimit të spitaleve, duke krijuar një kompani shtetërore që do të menaxhojë të gjitha shërbimet e sterilizimit në vend. Shoqëria e re, Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS) sh.a., do të operojë me kapital 100% shtetëror dhe do të ofrojë një shërbim të plotë që përfshin sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, materialeve njëpërdorimëshe, veshjeve sterile, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e ambienteve.
Vendimi vjen në një kohë kur kontrata aktuale PPP është nën hetim për abuzime dhe korrupsion, duke bërë këtë ndryshim një hap të rëndësishëm drejt kontrollit dhe menaxhimit publik të një shërbimi thelbësor për shëndetësinë. OSHIS sh.a. do të financohet nga buxheti i shtetit dhe do të ofrojë shërbimet e saj për të gjitha spitalet publike universitare, rajonale dhe bashkiake, duke ruajtur natyrën publike të shërbimit.
Ministria e Shëndetësisë ka 30 ditë për të përfunduar procedurat e themelimit dhe për t’i siguruar shoqërisë mjediset e nevojshme për nisjen e aktivitetit.

