Plastika e ricikluar mund të ndikojë në sistemin hormonal dhe metabolizmin

Plastika e ricikluar mund të ndikojë në sistemin hormonal dhe

Kriza e ndotjes nga plastika kërcënon jo vetëm shëndetin e planetit, por edhe atë të njeriut. Riciklimi shihet si një nga zgjidhjet kryesore për ta adresuar këtë problem.

Megjithatë, plastikat përmbajnë mijëra aditivë dhe substanca të tjera kimike, shpesh të papërmendura, që mund të jenë toksike.

Këto kimikate të rrezikshme mund të përfundojnë të përziera në produktet e ricikluara pa u identifikuar.

Studiuesit blenë kokrriza plastike të polietilenit (PE) të ricikluar nga vende të ndryshme të botës dhe i zhytën në ujë për 48 orë.

Më pas, larvat e peshkut zebra u ekspozuan në këtë ujë për pesë ditë. Rezultatet treguan rritje në shprehjen e gjeneve të lidhura me metabolizmin e lipideve, formimin e yndyrës dhe rregullimin hormonal te larvat.

“Efektet që matëm tregojnë se këto ekspozime kanë potencialin të ndryshojnë fiziologjinë dhe shëndetin e peshqve,” shpjegon Azora Kenning Kardgar, autore kryesore e studimit dhe studiuese në fushën e ekotoksikologjisë në Universitetin e Göteborgut.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar efekte të ngjashme tek njerëzit, si pasojë e ekspozimit ndaj kimikateve toksike në plastikë, përfshirë kërcënime për shëndetin riprodhues dhe rrezikun nga obeziteti. Disa nga këto kimikate, të përdorura si aditivë në plastikë, njihen si prishës hormonalë me ndikim potencial në pjellorinë, zhvillimin e fëmijëve, lidhje me disa lloje kanceri, si dhe çrregullime metabolike si obeziteti dhe diabeti.

“Ne nuk kemi njohuri të plota se cilat kimikate përfundojnë në produktet plastike të ricikluara. Gjithashtu ekziston një rrezik i madh nga ndërveprimi i kimikateve që mund ta bëjnë plastikën e ricikluar toksike,” thekson Bethany Carney Almroth, profesoreshë në Universitetin e Göteborgut dhe studiuese kryesore në projekt.

Studiuesit analizuan edhe kimikatet që lëshohen nga kokrrizat plastike në ujë, ku gjetën përbërës të ndryshëm kimikë, me përzierje që ndryshonte mes mostrave. Ata identifikuan edhe kimikate që nuk përdoren si aditivë në plastikë, si pesticidet, farmaceutikët dhe biocidet, të cilat mund të kenë kontaminuar plastikën gjatë përdorimeve të mëparshme.

Takimi i fundit negociues për një Traktat Global mbi Plastikat është planifikuar për në gusht në Gjenevë, me përfaqësues nga e gjithë bota në Komitetin Ndërqeveritar Negociues të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.

Autorët e studimit theksojnë se politikat duhet të përfshijnë masa për të ndaluar ose reduktuar kimikatet e rrezikshme në plastikë, si dhe për të rritur transparencën dhe raportimin përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës së plastikës. Ata nënvizojnë se plastikat nuk mund të riciklohen në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme pa trajtimin e kimikateve të dëmshme. Syri.net-iefimerida

EMISIONET