Përdorimi i cigareve elektronike, Xhufi: Një brez i tërë rrezikon dëmtime të pakthyeshme të trurit
E ftuar në studion e Ora News, mjekja Suela Xhufi ka ngritur alarmin për pasojat e rënda që po përjetojnë adoleshentët si rezultat i përdorimit të cigareve elektronike, varësisë nga teknologjia dhe stilit të pashëndetshëm të jetesës.
Sipas saj, kombinimi i cigareve elektronike me qëndrimin e zgjatur para ekraneve dhe ushqyerjen e dobët po krijon një situatë alarmante për zhvillimin fizik dhe mendor të të rinjve.
"Përdorimi i “vape”-ve shkakton inflamacion kronik në organizëm, i cili mund të çojë deri në sëmundje të rënda si fibroza pulmonare, një gjendje shpesh e pakthyeshme që dëmton rëndë mushkëritë."
Por shqetësimi më i madh, sipas mjekes, lidhet me dëmtimin e trurit të adoleshentëve, i cili është ende në zhvillim.
“Fatkeqësisht po dëmtohet zhvillimi i trurit, jo vetëm nga drogat, por edhe nga varësia ndaj telefonit dhe pajisjeve teknologjike. Qëndrimi i gjatë para ekranit ka efekte negative, sidomos tek një tru që është në fazë zhvillimi,” u shpreh Xhufi.
Ajo theksoi se situata përkeqësohet nga mënyra e jetesës së të rinjve, të cilët konsumojnë gjithnjë e më shumë ushqime të përpunuara dhe pije energjike, ndërsa po largohen nga natyra dhe aktivitetet fizike.
Sipas saj, një tjetër problem madhor është edhe mbingarkesa me informacion të pasaktë në internet, që krijon konfuzion tek brezi i ri dhe e vështirëson dallimin mes informacionit të saktë dhe atij të rremë.
Mjekja ngriti shqetësim edhe për krizën e modeleve pozitive në shoqëri, duke theksuar se familja, shkolla dhe media nuk po arrijnë të ofrojnë shembuj të shëndetshëm për rininë.
Ajo theksoi se mungesa e komunikimit mes prindërve dhe fëmijëve po krijon një hendek të rrezikshëm që i bën të rinjtë më të prekshëm ndaj sjelljeve të dëmshme.
Një tjetër alarm i fortë lidhet me aksesin e lehtë të të miturve në substanca të rrezikshme përmes internetit.
“Kam hasur raste jo vetëm me ‘vape’, por edhe me kokainë dhe kërpudha halucinogjene që porositen online dhe mbërrijnë me postë. Kjo tregon një problem serioz me kontrollin dhe ligjet,” paralajmëroi ajo.
Sipas Xhufit, kjo situatë kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet dhe një reagim të koordinuar nga familja, shkolla dhe shoqëria për të mbrojtur shëndetin dhe të ardhmen e brezit të ri.
Ndiqni intervistën e plotë:

