Një tjetër kompani e prodhimit të vaksinës, AstraZeneka ka lajmëruar vonesa në furnizimin e Bashkimit Evropian, duke shtuar zhgënjimin në shtetet evropiane.

AstraZeneca tha se për shkak të një problemi në prodhimin e vaksinave numri i dozave fillestare në dispozicion do të jetë më i ulët nga sa pritej, raporton BBC.

Komisioneri i Shëndetësisë i BE shprehu “pakënaqësi të thellë ” për këtë lajm.

Zyrtarët nuk e kanë konfirmuar ende se sa e madhe do të jetë mungesa, por një zyrtar i panjohur i BE i tha agjencisë së lajmeve Reuters se dërgesat do të ulen në 31 milion (rreth 60%) në tremujorin e parë të këtij viti.

AstraZeneca kishte vendosur të furnizonte me rreth 80 milion doza 27 shtete deri në mars, sipas zyrtarit që folir për Reuters.

Vaksina AstraZeneca, në bashkëpunim me universitetin e Oksfordit nuk është miratuar ende nga rregullatori i ilaçeve i BE por pritet të marrë miratimin në fund të muajit.

Një zëdhënës i AstraZeneca tha se dozat fillestare do të jenë më të ulëta nga sa u parashikuan në fillim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Lajmi për vonesën vjen mes kritikave dhe zhgënjimit në të gjithë rajonin për shpejtësinë e përhapjes së vaksinimit.

Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe SHBA janë të gjitha përpara vendeve të BE-së për  sa i përket dozave të marra deri tani.

Ndërkohë edhe kompania amerikane Pfizer ka lajmëruar se do të ketë vonesa në furnizimin e vendeve të BE-së.

“Kjo situatë do të ndikojë përkohësisht furnizimet e vaksinave në procesin nga fundi i janarit deri në fillim të shkurtit”, thuhet në deklaratë ku vihet theksi se do të reduktohet përkohësisht furnizimi i kryer në Evropë.