Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ miraton 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur, dy subjekte mbeten jashtë garës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka marrë vendim për certifikimin e katër prej pesë subjekteve të reja politike që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara për 6 qershor 2026.
Sipas vendimit, janë certifikuar tre koalicione dhe një kandidat i pavarur, pasi kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj dhe aktet nënligjore të KQZ-së.
Ndërkohë, është refuzuar certifikimi i nismës qytetare “Složno Pobeđujemo” për shkak të mungesës së numrit të kërkuar të nënshkrimeve të mbështetësve, si dhe i partisë SDA – Stranka Demokratske Akcije, e cila gjithashtu nuk ka përmbushur kushtin ligjor për certifikim.
Pas këtij vendimi, në zgjedhjet e ardhshme pritet të marrin pjesë gjithsej 3 koalicione, 17 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ ka vendosur edhe për rritjen e kapacitetit të votimit fizik në Konsullatën e Kosovës në Frankfurt. Numri i votuesve që mund të regjistrohen atje është rritur nga 1,500 në 1,900, për shkak të interesit të lartë të diasporës dhe mungesës së vendeve të lira në regjistrim.
Sipas autoriteteve zgjedhore, konsullata ka kushte të mjaftueshme për të menaxhuar këtë numër, ndaj është vendosur rritja e kapacitetit për të mos kufizuar të drejtën e votës së qytetarëve.


