Zgjedhjet, Albin Kurti hedh votën: Shpresoj këtë herë të kemi rezultat të qartë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur votën e tij, në Prishtinë.
Për gazetarët, Kurti u shpreh, se këtë herë duhet të kenë një rezultat të qartë, ndërsa theksoi sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më e mirë do të jetë cilësia e zgjedhjeve dhe legjitimiteti i institucioneve që do të dalin prej tyre.
“Ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm.
Uroj dhe besoj se legjislatura e dhjetë do të konstituohet sa më shpejt Kuvendi i ardhshëm dhe njëkohësisht të formohet Qeveria e re.
I falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin që kanë treguar.
Po ashtu shpresoj se pjesëmarrja do të jetë masive, sepse pjesëmarrja masive reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjeve dhe në legjitimitetin e institucioneve”, tha Kurti.
I pyetur a është i hapur për një koalicion, kryeministri në detyrë Kurti u shpreh: Unë kam ofruar koalicion në prill dhe maj, prandaj jemi sot në zgjedhje të parakohshme sepse u refuzua koalicioni. Prandaj duhet të kemi rezultat të qartë, meqë shansi për koalicion iku pa fajin tonë”.


