Vuçiç: Kurti do të drejtojë Mitrovicën e Veriut prej 24 prillit

Vuçiç: Kurti do të drejtojë Mitrovicën e Veriut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës, dhe se qeverisja e formuar pas atij procesi nuk do të ketë legjitimitet.

I pyetur se si do të jetë situata për serbët në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të 23 prillit, Vuçiç ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë, më 6 prill, se do të jetë “keq, sikurse nën okupim”, sepse “qeverisja do të formohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”.

“Kurti do ta drejtojë Mitrovicën e Veriut nga 24 prilli, dhe vetëm mendoni për ato autoritete dhe demokracinë e legjitimitetin, me 2 për qind të shqiptarëve që jetojnë aty. Do të jetë keq për serbët, sikurse nën okupim, ashtu do të jetë, prandaj njerëzit janë të shqetësuar. Çfarë mund të bëjnë ata? Çfarë duhet të bëj unë? A të dërgoj tanke? Nuk mund ta mposhti NATO-n, dhe nuk dua që ne të vdesim. Dua që gjërat të zgjidhen në paqe, të shkojnë drejt normalizimit”, ka thënë Vuçiç.

Ai, po ashtu, i ka kritikuar shtetet e Perëndimit për “heshtjen” e tyre, për faktin që Kurti nuk ka dëshiruar të shtyjë zgjedhjet lokale, në të cilat serbët nuk do të marrin pjesë, pas dorëheqjeve kolektive nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.

Vuçiç ka thënë se “taktika e autoriteteve të Prishtinës është që të mos krijohet kurrë Asociacioni i komunave me shumicë serbe” dhe se “ata do të provokojnë serbët çdo ditë, me synimin që serbët të provokojnë diçka”.

Kur është pyetur për çështjen e Kosovës, deri në fund të mandatit të tij presidencial më 2027, Vuçiç ka thënë se mendon që “do të jetë në Serbi, dhe që ne do të vuajmë shumë, sidomos populli serb në Kosovë dhe Metohi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucionet janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbët tjerë, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme ishte planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo institucionet e Kosovës janë detyruar t’i shtyjnë ato, për shkak të incidenteve të shkaktuara, dhe thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Aktualisht, entiteti më i madh politik kundër organizimit të këtyre zgjedhjeve është Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Ajo ka thënë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje deri në përmbushjen e dy kërkesave: formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqjen e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb, në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”.

Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje. /REL/

EMISIONET