Vuçiç i shqetësuar për zhvillimet pas lëshimit të urdhrit të arrestit për Putinin

Vuçiç i shqetësuar për zhvillimet pas lëshimit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shprehur shqetësimin për zhvillimet në nivel global dhe rajonal, duke komentuar vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për lëshimin e një urdhërarresti për presidentin rus Vladimir Putin.

“Gjithçka ndryshoi vitin e kaluar më 24 shkurt dhe sot gjithçka është kthyer përmbys. Askush nuk do të tërhiqet, të dy do të luajnë deri në shkatërrimin përfundimtar”, ka vlerësuar Vuçiç, duke iu referuar ngjarjes.

Presidenti i Serbisë, duke folur në një tubim në qytetin e Sremska Mitrovicës, shprehu frikën se "bota është shumë afër Luftës së Tretë Botërore" dhe pyeti:"A ka njeri me mend në këtë botë që ta ndalojë këtë çmenduri?"

Aleksandar Vuçiç shprehu mendimin se zhvillimi me lëshimin e fletarrestit për Putinin do të ndikojë edhe në qëndrimin e shteteve perëndimore ndaj Serbisë.

“Tani është e sigurt se bota po rrëshqet drejt një përshkallëzimi të konfliktit. Duhet të tregojmë përgjegjësi dhe seriozitet sepse Perëndimi tani do të bëjë presion shtesë mbi të gjithë ata që deri më sot nuk kanë mbajtur qëndrim të ashpër ndaj Rusisë”, ka vlerësuar Aleksandar Vuçiç.

EMISIONET