Vuçiç: Do të shkoja që nesër në Mitrovicë nëse do të më lejonin forcat shqiptare dhe ndërkombëtare
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha sot se “do të shkonte nesër në Mitrovicë”, nëse forcat shqiptare dhe ato ndërkombëtare do ta lejonin.
“Shkuarja atje nuk është çështje e zgjedhjes sime, por e vendimit të tyre”, tha ai dhe shtoi se do të shkojë jo vetëm në Mitrovicë por edhe në të gjitha “vendbanimet dhe fshatrat tona” në Kosovë.
Vuçiç ka vazhduar me retorikën e tij duke thënë se “është shumë i pikëlluar dhe i pakënaqur për atë që po ndodh në Kosovë dhe për atë që po sheh se dikush nuk dëshiron paqe” dhe shtoi se “nuk dëshiron t’i japë mundësinë për të marrë pjesë në persekutimin dhe përndjekjen e popullatës serbe”.
Ai përmendi si element pozitiv shifrat se në fillim të vitit të ri shkollor në Kosovë, 1081 nxënës të klasës së parë nga gjithsej 9700 nxënës të shkollave fillore kanë shkuar në shkolla që punojnë sipas sistemit arsimor serb.
“Ky nuk është një numër i vogël, duke pasur parasysh situatën që kemi atje,” tha ai.