Vrasja e Dick Marty-t, Serbia i dërgon letër Zvicrës: Pretendime të tilla na shkaktojnë dëme të pallogaritshme

Vrasja e Dick Marty-t, Serbia i dërgon letër Zvicrës: Pretendime

Ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga policia zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb, sipas televizionit publik zviceran.

Dyshohet se plani ka qenë që Marty të vritet nga vrasës profesionistë të angazhuar prej shërbimit serb, e që më pas të diskreditohet Kosova.

Ndërkohë, Agjencia Informative e Sigurisë e Serbisë, e njohur si “BIA”, ka mohuar të hënën të ketë planifikuar vrasjen, Dick Marty-t.

Tanjug bën me dije se “BIA” i ka nisur të hënën letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane (FIS), ku ka dënuar pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt.

“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Përkundër të gjitha presioneve dhe përpjekjeve për të destabilizuar, BIA do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, - thuhet në deklaratën e “BIA”-s.

Marty që nga dhjetori 2020 është në mbrojtje të lartë policore.

Shkalla e rrezikut është vlerësuar si më e larta, 5, që do të thotë ndërrim identiteti, por ai nuk e ka pranuar atë dhe ka ngelur në shkallën 4, ku i ofrohet mbrojtje vazhdimisht.

Në një intervistë në emisionin “Mise au point” në një TV zvicerane, ai ka thënë se më 18 dhjetor 2020 ka marrë telefonatë nga policia zvicerane ku i është thënë se jeta e tij është në rrezik dhe se do të vendoset në mbrojtje të lartë policore.

Në intervistë, Marty tha se kërcënimi me vdekje erdhi nga qarqe të caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, të cilat kanë kërkuar atentatorë me pagesë që ta likuidojnë atë për të fajësuar më pas shqiptarët nga Kosova.

Vite më parë, një raport i Martyt u mor si bazë për ngritjen e Gjykatës Speciale. Në të, Marty pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë “bërë trafikim me organe të serbëve” gjatë luftës.

EMISIONET