U zgjodh kryeministër i ri i Serbisë, Macut: Zbatimi i Kushtetutës nënkupton që Kosova dhe Vojvodina janë pjesë përbërëse e territorit tonë!

Parlamenti serb ditën e sotme ka miratuar qeverinë e re. Pas dorëheqjes së Milosh Vuçeviç, kryeministër është zgjedhur Gjuro Macut. Vendimi u votua me 153 vota pro, 46 kundër dhe me mungesën e 51 deputetëve në sallë.
Macut ka paralajmëruar se politika ekonomike e Serbisë nuk do të ndryshojë. Ai tha se do të vazhdohet me politikën e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik që kanë pasur deri më tani. Sfidat kryesore të qeverisë së re janë ekonomia por edhe marrëdhënia me Prishtinën. Gjithashtu një tjetër problematikë është zgjidhja e krizës së krijuar nga protestat që kanë mbërthyer vendin.
Qeveria e re e Serbisë, do të përbëhet nga 30 ministra, shumica prej të cilëve ishin edhe në kabinetin e kryeministrit Millosh Vuçeviç, i cili dha dorëheqje pasi studentët vërshuan në rrugë pas tragjedisë në Novi Sad. Në seancën e parlamentit nuk morën pjesë deputetët e koalicionit NADA dhe të Partisë Demokratike.
Macut, gjatë fjalës së tij, nuk ka harruar të përmend edhe Kosovën duke pretenduar se Serbia do të vazhdojë të jetë aktor konstruktiv në këtë çështje. Ai theksoi para ligjvënësve se Beogradi nuk do të pajtohet me zgjidhje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Macut shtoi se zbatimi i Kushtetutës nënkupton edhe që Kosova dhe Vojvodina janë pjesë përbërëse e territorit të Serbisë.
“Kosova mbetet çështje qendrore e interesit më të lartë kombëtar dhe ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit është një nga prioritetet më të rëndësishme të politikës së jashtme”, tha ai.

