U vra përpara spitalit, gruaja shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Ministrja paralajmëron shkarkime
Ministrja e Drejtësisë së Kosovës ka bërë me faj Prokurorinë në lidhje me vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë mbrëmjen e djeshme nga bashkëshorti në Prishtinë. Haxhiu tha se gruaja ishte me urdhër mbrojtjeje dhe se do të ketë shkarkime e dorëheqje në lidhje me papërgjegjshmërinë

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës Albulena Haxhiu e ka quajtur papërgjegjshmëri të Prokurorisë rastin e vrasjes së gruas shtatzënë nga bashkëshorti në 30 nëntor në Prishtinë.
Sipas ministres, 35-vjeçarja e ndjerë kishte urdhër mbrojtje.
“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave,"
Haxhiu mbajti një takim ndërministror pas të cilit tha se do të ketë dorëheqje e shkarkime të zyrtarëve të policisë nëse verifikohet dështimi institucional.
Ajo ka thënë po ashtu se Ministria e Shëndetësisë, qendrat për punë sociale dhe institucionet tjera, kanë marrë përgjegjësi për të verifikuar çdo veprim institucional të lidhur me këtë vrasje.
Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë rast.
Viktima është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë.
Më 25 nëntor është raportuar se një burrë e ka vrarë gruan e tij me sëpatë në një lagje të Prishtinës.
Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur viteve të fundit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2 067 raste të dhunës në familje me 2 126 viktima.
