U pl*gos nga policia greke! Titi shoqërohej nga një këngëtar shqiptar dhe tre vajza

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet e policisë greke për incidentin me armë në zonën e Mikrolimanos në Pire, ku u përfshi 42-vjeçari shqiptar Alesio Xhelo, i njohur me nofkën “Titi”, person me precedentë të rëndë kriminalë dhe i shpallur në kërkim në Shqipëri dhe Greqi. Sipas autoriteteve greke, gjatë operacionit të Njësisë së Hetimit të Zhvatjes, 42-vjeçari ka kundërshtuar me armë efektivët e policisë, ndërsa më pas mbeti i plagosur. Në çantën e tij u sekuestruan municione luftarake dhe 6 granata dore.
Hetimet janë përqendruar tashmë edhe te identifikimi i personit të dytë që ndodhej me Xhelon pak para ndërhyrjes së policisë. Burime policore bëjnë me dije se bëhet fjalë për një artist të njohur shqiptar të muzikës, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë me 42-vjeçarin dhe tre gra të tjera në momentet para operacionit.
Tre gratë janë thirrur nga autoritetet greke për të dhënë dëshmi zyrtare mbi rrethanat e ngjarjes dhe lidhjen mes personave të përfshirë.
Sipas mediave greke, muzikanti shqiptar është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes sapo nisi aksioni policor, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ai të paraqitet vullnetarisht për t’u marrë në pyetje. Oficerët e hetimit po verifikojnë natyrën e marrëdhënies mes artistit dhe Alesio Xhelos, si dhe nëse ai kishte dijeni që 42-vjeçari ndodhej ilegalisht në Greqi dhe mbante armë të rënda. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu çdo dyshim për përfshirje të mundshme në aktivitete kriminale/JOQ

