Spahiu: Policët serbë janë kamufluar si civilë në protesta. Kjo është beteja më e madhe se Pavarësia. Është beteja për flamurin e Kosovës!

Analisti i njohur Nexhmedin Spahiu në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora Neës” komentoi zhvillimet më të fundit në Kosovë që vijnë nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të vendit prej disa ditësh tashmë.

Lidhur me thirrjet e ndërkombëtarëve për një reflektim të Kosovës për situatën e krijuar, Spahiu theksoi se nuk ka pse ky reflektim të jetë nga pala kosovare.

“Pala kosovare ka bërë thjesht vendosjen e flamujve të Kosovës në objektet e 4 komunave në veri dhe kjo ishte misioni dhe qëllimi i saj dhe tani duhet t’i mbrojë ato. Nuk ka pse të tërhiqet nga kjo, sepse tërheqja nënkupton tërheqje nga autoriteti i saj në territorin e Kosovës.

Dje pati një rrezik përplasjeje të policisë së Kosovës dhe njësisë së Policisë serbe që ishin të veshur me rroba civile, por që KFOR-i u vu në mes të palëve, por që pati të plagosur nga të dyja anët.

Pra kemi të bëjmë me njësi të policisë serbe të cilët kamuflohen si qytetarë civilë, si huliganë, dhe natyrisht ata marrin peng dhe disa qytetarë të cilët i vendosin me dhunë në protesta për të kamufluar veprimet e tyre, por kjo është thjesht një betejë mes dy policive të dy vendeve.

Në këtë rast kemi KFOR-in në mes tyre, por nuk e dimë nëse në përleshjet e ardhshme a do ta kemi sërish KFOR-in në mes, apo do të kemi një ndeshje direkte mes policive të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Spahiu.

Pjesë nga intervista

Pse kjo situatë?

Është një situatë për të treguar se kush e dominon terrenin, kush e mban Veriun e Kosovës, në mënyrë se kush do të ketë një pozitë më të fortë mes palëve që bisedojnë në Bruksel. Natyrisht që pala që e ka situatën nën kontroll ka përparësi në bisedimet diplomatike. Ne kemi dy propozime për autoniminë e srbëve në Kosovë, ku Prishtina kërkon që të jetë e ngjashme si ajo e serbëve në Kroaci, ndërsa Beogradi kërkon që të jetë si ajo e serbëve në Bosnjë. Ka një hapësirë shumë të madhe ndërmjet këtyre dy propozimeve dhe tani pritet që negociatorët ndërkombëtarë të propozojnë një diçka të ndërmjetme. A do të jetë ai në mes këtyre dy propozimeve apo më afër njërit apo tjetrit prej palëve, kjo do të varet nga gjendja në terren. Prandaj palët përpiqen që të përfitojnë në terren në mënyrë që kur të vijë propozimi ndërkombëtar të jetë më i favorshëm për palën që do ta fitojë betejën në terren.

Kush e dominon veriun e Kosovës aktualisht?

E dominon policia e Kosovës, qeveria e Kosovës dhe shenjë treguese është flamuri që është ngritur në ato komuna që ndodh për herë të parë prej 15 vitesh.

A është kjo thjesht një përplasje për flamur?

Sigurisht që përplasja është për flamur. Pasi këtu nuk bëhet fjalë për kryetarë komunash të cilët nuk ka asnjë rol atje, fare. Sepse ata nuk do të munden dot të shpallin ndonjë tender, apo të bëjnë ndonjë rrugë në këtë situatë. Dhe gjithçka që do të bëjnë është të kryejnë ato punë bazike dhe ngritjen e flamurit. Kjo ka qenë ajo që unë e quaj mision historik. Prandaj kur u ngrit flamuri për herë të parë nga nipi i Isa Boletinit, atëherë kjo është një ngjarje historike ndoshta më e rëndësishme se sa vetë shpallja e Pavarësisë. Dhe jo më kot e kam krahasuar këtë me luftën e vitit 1920.

Si e lexoni qëndrimin e ndërkombëtarëve?

Unë nuk e shikoj se ato ishin qëndrime për Kosovën, por thirrje për Serbinë që të ulë tonet, por pavarësisht këtyre mesazheve ajo nuk e zbuti aspak situatën, por solli njësitë e saj të policisë dhe ushtrisë në veri të veshur me uniforma civile, duke u ndeshur me policinë e Kosovës dhe me KFOR-in, u bë ajo çfarë u bë dje dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Vërtetë qeveria e Kosovës ka marrë një rrezik të madh mbi vete, por aq sa është rreziku, aq është dhe rëndësia e këtij rreziku. Aq është dhe dobia nëse ky veprim rezulton i suksesshëm, sepse dobia është në përpjestim të drejtë me rrezikun që ka ndërmarrë.

Këto tensione a do ta dëmtojnë dialogun mes dy vendeve?

Jo. Absolutisht që jo. Pasi është pikërisht dialogu që i ka shkaktuar këto tensione dhe këto bëhen me qëllim të arritjes së pozicionit më të mirë të palëve në këto bisedime.

Si i keni parë reagimet e politikanëve shqiptarë?

Reagimi i Presidentit Begaj ishte nj qëndrim i drejtë i një presidenti. Ndërsa reagimi i kryeministrit Rama ishte thjesht një mllef ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe asgjë më tepër. Nuk mundet dot Shqipëria të kopjojë që sado e vogël të jetë si aleate e Amerikës, nuk i takon të shprehet me fjalorin që shprehen zyrtarët amerikanë. Ndaj ajo ishte një shprehje e mllefit ndaj Albin Kurtit dhe asgjë më shumë se kaq.

EMISIONET