Serbia pro Rusisë, Kievi falënderon Beogradin: Mund të jetë një vend për negociata

Ukraina ka falenderuar Serbinë si një partner ndërkombëtar edhe pse kjo e fundit është rreshtuar krah Rusisë, të mërkurën presidenti Vuçiç tha se e ka më të udhës të takohet me Vladimir Putin se sa me Joe Biden.
Ambasadori i Ukrainës në Beograd e ka falënderuar qeverinë e Aleksandër Vuçiçit për gatishmërinë që ka shfaqur për mbajtjen e një takimi mes Kievit dhe Moskës në Serbi, si dhe për mikpritjen e refugjatëve ukrainas.
Oleksandër Aleksandroviç i cili është shprehur më herët se Kosova është pjesë e Serbisë e vlerësoi Beogradin si një partner të rëndësishëm ndërkombëtar për Ukrainën.
Kujtojmë që në 25 shkurt Serbia vendosi të mos dënojë Rusinë për sulmin ndaj Ukrainës, duke rrëzuar edhe pritshmëritë e vendeve perëndimore të cilat i bënë thirrje Beogradit të rreshtohej krah shteteve anëtare të Ballkanit Perëndimor.
Në mes të gjithë mbështetjes të vendeve perëndimore për Ukrainën, presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një emision televiziv tha se e kishte më të lehtë të komunikonte me presidentin Vladimir Putin se sa me atë amerikan Joe Biden.
Ndërkohë gjatë gjithë kësaj kohe, mbështetja e Kosovës për Ukrainën ka qenë e pakufishme me akte morale, protesta dhe sanksione konkrete ndaj Rusisë.
Në këmbim të kësaj, qeveria Kurti ka marrë nga Ukraina falënderime për Serbinë dhe refuzim për njohjen e Prishtinës zyrtare si shtet sovran.

