Serbia dënime të ashpra për mercenarët, Vuçiç: Kushdo që shkon në Ukrainë për të luftuar do ndëshkohet

Presidenti Vuçiç u ka bërë të qartë qytetarëve të vendit të tij se nëse shkojnë në Ukrainë për të luftuar për ushtrinë vendase ose qoftë për atë ruse do të ndëshkohen rëndë.
Qytetarët serbë që do të luftojnë në Ukrainë do të përballen me dënime të ashpra, kështu ka deklaruar presidenti i vendit Aleksandër Vuçiç ndërsa foli në një konferencë për mediet me ministren e Jashtme gjermane, Analenna Bearbok.
Vuçiç: Sa i përket vullnetarëve, meqenëse të dyja palët kanë bërë thirrje për vullnetarë, kodi penal serb të cilin ne do ta ndryshojmë për të qenë më i rreptë e përjashton pjesëmarrjen në çdo konflikt që nuk mbron integritetin territorial të Serbisë. Secili nga ata që mendon se do të marrë pjesë në luftë ne do ta ndëshkojmë ashpër në përputhje me kushtetutën dhe ligjet tona.
Kievi njoftoi javën e kaluar se mbi 16,000 persona nga jashtë vendit kishin shkuar për të luftuar në Ukrainë si vullnetarë të Legjionit Ndërkombëtar të mbrojtjes së territorit të vendit.
E po kështu, të premten presidenti Putin mirëpriti rreth 16 mijë vullnetarë nga Lindja e Mesme për të luftuar krah forcave ruse.
Aktualisht presidenti Vuçiç ka zgjedhur të jetë politikisht korrekt duke mbrojtur sovranitetin e Ukrainës, por nga ana tjetër nuk e ka dënuar Rusinë për sulmin ndaj shtetit të saj fqinj.
Ndërsa Beogradi aspiron të anëtarësohet në BE, Vuçiç nuk i është bashkuar sanksioneve të bllokut kundër Rusisë.
Ministrja e Jashtme gjermane nga Serbia tha se bashkimi me BE-në tregohet përmes gatishmërisë për të pasur vendime të njëjta me bllokun, përfshirë çështjen e Ukrainës.
Në përgjigje të kësaj, Vuçiç i tha kryediplomates gjermane se Serbia ka qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje.
Veprimet ose mos-veprimet e presidencës serbe sa i përket Ukrainës, mund ta bëjnë edhe më të vështirë perspektivën evropiane të vendit.


