U dhunua pasi bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari, Konjufca kërkon hetim ndërkombëtar për Sanduloviç

U dhunua pasi bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari, Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka dënuar dhunën ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviç, në Serbi. Ai i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese “të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”.

Konjufca e ka quajtur shqetësuese mundësinë që Milan Radoiçiq të ketë marrë pjesë në rrahjen e Sanduloviçit.

“Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radoiçiç, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, ka shkruar ai.

Konjufca ka theksuar se në këtë mënyrë po sulmohet mundësia për pajtim politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviç, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi”.

Reagimin e vendeve demokratike ndaj sulmit kundër Sanduloviçit, Konjufca e ka vlerësuar “tepër përcaktues”.

Sanduloviçi raportohet se ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA). Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

EMISIONET